
Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë gjatë raportimit në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme për procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Tabaku deklaroi se procesi i integrimit nuk mund të jetë “i njëanshëm”, duke akuzuar mazhorancën se po përjashton opozitën nga diskutimet për ligje të rëndësishme, si ai i mediave dhe investimeve strategjike.
“Procesi i integrimit kërkon dy palë, ndërsa ju jeni të njëanshëm”, u shpreh deputetja demokrate.
Ajo kritikoi raportin e qeverisë, duke thënë se përmbante më shumë renditje ligjesh sesa analiza konkrete mbi cilësinë e reformave dhe efektet e tyre reale.
Tabaku ngriti shqetësime të forta edhe për sistemin e drejtësisë, duke deklaruar se qytetarëve shqiptarë u duhen më shumë se 14 vite për të marrë drejtësi në Gjykatën e Apelit.
Sipas saj, korrupsioni dhe prokurimet publike mbeten problem serioz, ndërsa solli si shembull përqendrimin e tenderëve publikë.
“60% e tenderëve shkojnë vetëm për 12 kompani”, deklaroi ajo.
Deputetja e PD tha gjithashtu se edhe Komisioni Europian ka shprehur shqetësime për disa ligje të miratuara nga qeveria, duke përmendur ligjin për portet dhe atë për investimet strategjike.
Tabaku akuzoi mazhorancën për mungesë transparence dhe për shmangie të debatit me opozitën në procesin e integrimit europian.






