
Ushtria izraelite ka pranuar për herë të parë se forcat e saj hapën zjarr ndaj automjetit ku ndodhej 5-vjeçarja palestineze Hind Rajab, e vrarë në Gaza në janar të vitit 2024. Pas më shumë se dy vitesh, ushtria njoftoi gjithashtu hapjen e një hetimi penal për ngjarjen.
Deri tani, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kishin mohuar përfshirjen, duke deklaruar se trupat e tyre nuk ndodheshin pranë automjetit dhe as brenda distancës nga mund të qëllonin.
Hind po udhëtonte me gjashtë anëtarë të familjes në veri të Gazës kur makina u godit nga të shtënat. Vajza i mbijetoi fillimisht sulmit dhe për orë të tëra qëndroi në telefon me ekipet palestineze të emergjencës, duke kërkuar që ta shpëtonin. Edhe ambulanca e dërguar për ta marrë u godit nga zjarri.
Dymbëdhjetë ditë më vonë, trupi i 5-vjeçares u gjet brenda makinës së mbushur me vrima plumbash.
Regjistrimet e telefonatës së Hind Rajab tërhoqën vëmendje ndërkombëtare dhe shtuan kërkesat për përgjegjësi për vrasjen e saj. Historia u bë edhe subjekt i filmit “The Voice of Hind Rajab”, i nominuar për Oscar në vitin 2026.
Burimi: CNN






