
Të paktën 33 palestinezë u vranë gjatë një vale sulmesh izraelite në Gaza të martën mbrëma, sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile, të drejtuar nga Hamasi.
Izraeli tha se sulmet ishin përgjigje ndaj shkeljeve të marrëveshjes së armëpushimit, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.
Ministri izraelit i mbrojtjes akuzoi Hamasin për një sulm në jug të Gazës, ku u vra një ushtar izraelit.
Hamasi mohoi çdo lidhje me sulmin dhe tha se mbetet i përkushtuar ndaj armëpushimit.
Presidenti amerikan Donald Trump tha se “asgjë nuk do ta rrezikojë” armëpushimin, por se Izraeli ka të drejtë të përgjigjet.

Sulmet goditën zona të banuara në qytetet Gaza, Beit Lahia, Bureij, Nuseirat dhe Khan Younis. Dëshmitarët raportuan “shtylla zjarri e tymi” që ngriheshin mbi ndërtesa të shkatërruara.
Në Gaza, 14 persona u gjetën të vdekur, përfshirë gra dhe fëmijë. Në kampin Bureij u vra një familje prej pesë anëtarësh.

Në Khan Younis, pesë të tjerë humbën jetën nga një sulm mbi një automjet. Qeveria izraelite tha se Hamas kishte “kaluar vijën e kuqe”, duke sulmuar ushtarët.
Hamasi akuzoi Izraelin për “shkelje flagrante të armëpushimit”.
Trump dhe nënpresidenti JD Vance thanë se armëpushimi ende mbetet në fuqi, pavarësisht “përplasjeve të vogla”.
Armëpushimi është pjesë e planit 20-pikësh të paqes në Gaza të propozuar nga SHBA-ja.
Që nga fillimi i luftës në tetor 2023, mbi 68,000 palestinezë janë vrarë sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza./klan







