Shqipëria dhe Izraeli kanë nënshkruar një marrëveshje të re bashkëpunimi ndërqeveritar, duke zgjeruar partneritetin në ekonomi, teknologji, siguri, energji dhe turizëm. Gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, vlerësoi marrëdhëniet historike mes dy vendeve dhe mbështetjen e Shqipërisë për Izraelin.

“Miqësia jonë është më e thellë se diplomacia”, deklaroi Sa’ar në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

Kryediplomati izraelit kujtoi rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar se kjo histori nuk do të harrohet nga populli izraelit.

Ai e cilësoi Besën shqiptare si një dëshmi të jashtëzakonshme solidariteti dhe vlerësoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të Izraelit pas sulmeve terroriste të 7 tetorit.

Sa’ar nënvizoi se marrëveshja e nënshkruar sot zgjeron bashkëpunimin mes dy vendeve, pas marrëveshjes dypalëshe në sektorin e shëndetësisë të firmosur një vit më parë.

Një nga treguesit e afrimit mes dy vendeve është edhe turizmi. Sipas ministrit izraelit, numri i vizitorëve nga Izraeli në Shqipëri është rritur nga rreth 7 mijë në vit në 100 mijë.

“Izraelitët ndihen të sigurt dhe të mirëpritur në Shqipëri”, deklaroi ai.

Nga ana e tij, Ferit Hoxha theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit kanë arritur nivelin më të lartë dhe se marrëveshja e re krijon mundësi konkrete për investime dhe projekte të përbashkëta në tregti, bujqësi, menaxhimin e ujërave, inovacion, energji dhe shëndetësi.

Siguria kibernetike ishte një tjetër temë kryesore e bisedimeve. Hoxha falënderoi Izraelin për ndihmën e dhënë në forcimin e mbrojtjes së sistemeve dixhitale shqiptare pas sulmeve kibernetike të vitit 2022, për të cilat Tirana ka fajësuar Iranin.

Ministri shqiptar dënoi veprimtaritë destabilizuese të Teheranit në Lindjen e Mesme dhe rikujtoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, si dhe shpalljen e tij shtet sponsor të terrorizmit.

Në lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme, Hoxha rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për një paqe gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, duke theksuar nevojën për garantimin e sigurisë së Izraelit dhe të një jete me dinjitet për izraelitët dhe palestinezët.

Ai foli edhe për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes dhe vendimin për të kontribuar në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.

Në takim u diskutua gjithashtu për Ballkanin Perëndimor, ku Hoxha vlerësoi njohjen e Kosovës nga Izraeli si një kontribut për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

Vizita e ministrit izraelit përfshiu edhe njohjen me dokumente historike mbi shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri, ndërsa Hoxha prezantoi projektet për Muzeun e Besës në Tiranë dhe Muzeun Hebraik në Vlorë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu