
Situata e zjarreve në Shqipëri paraqitet në përmirësim, por shtatë vatra vijojnë të jenë aktive. Deri në orën 14:00 të 17 gushtit janë regjistruar gjithsej 12 vatra zjarri, ndërsa tre të tjera mbahen nën monitorim.
Në betejën me flakët janë angazhuar 467 forca operacionale, të mbështetura nga 120 efektivë të Forcave të Armatosura. Në dispozicion janë gjithashtu 34 automjete zjarrfikëse, dy mjete zjarrfikëse të FA-së, dy helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.
Një nga operacionet kryesore vijon në Malin e Dajtit. Forcat në terren mbështeten nga 50 efektivë të FA-së dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Vakumone zjarri është izoluar dhe situata është nën kontroll, ndërsa vatra në Priskë vijon të monitorohet.
Forca të shumta janë përqendruar edhe në Gurë-Lurë të Dibrës, ku në operacion marrin pjesë 180 forca bashkiake, 15 policë dhe 30 efektivë të FA-së. Nga ajri ndërhyjnë dy avionë Air Tractor. Korridoret e hapura në terren kanë penguar avancimin e flakëve drejt banesave.
Në Qafë Helmës, zjarri është shuar në krahun e Bulqizës dhe mbetet aktiv vetëm në drejtim të Selishtës. Operacioni vijon edhe në Bruç të Matit, ku terreni i vështirë komplikon ndërhyrjen.
Në Lufaj të Mirditës, dy mjete zjarrfikëse të FA-së dhe nëntë efektivë janë vendosur pranë banesave në lagjen Caraj në gatishmëri, megjithëse aktualisht nuk raportohet rrezik për to.
Një tjetër operacion i rëndësishëm zhvillohet në Fushë-Lajë të Pukës, ku janë angazhuar zjarrfikës, forca pyjore e bashkiake, vullnetarë dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura.
Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se situata po përmirësohet në disa prej vatrave dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara në zonat kryesore të operacioneve.
AKMC vijon monitorimin dhe koordinimin e operacioneve deri në izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarreve.






