
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me bombardim Omanin, një aleat të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, nëse vendi ndërhyn në përpjekjet e Uashingtonit për një marrëveshje me Iranin.
Sipas BBC, që citon gazetarin e Fox News Trey Yingst, Trump e bëri deklaratën gjatë një bisede telefonike, duke përdorur një gjuhë jashtëzakonisht të ashpër.
“Nëse Omani na del në rrugë, do t’i bombardojmë”, citohet të ketë thënë presidenti amerikan, duke përdorur në origjinal edhe një shprehje vulgare.
Kërcënimi vjen në një moment delikat, pasi Omani dhe Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë veçmas negociata me Teheranin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Kjo rrugë detare, një nga më strategjiket në botë, ka qenë kryesisht e bllokuar prej afro gjashtë muajsh gjatë luftës SHBA-Iran. Në kushte normale, përmes saj kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm të tregtuar në botë.
Vetëm disa orë përpara deklaratës së Trump, Irani njoftoi se ishte pranë finalizimit të një marrëveshjeje me Omanin për kalimin e anijeve nëpër Hormuz. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi se ishte arritur një mirëkuptim mbi hartën e korridorit të tranzitit dhe se detajet po finalizoheshin.
Trump pretendoi gjithashtu se Uashingtoni ka një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Gardën Revolucionare të Iranit. Teherani e mohoi menjëherë këtë pretendim, duke deklaruar se nuk po zhvillohen bisedime mes Gardës Revolucionare dhe amerikanëve.
Presidenti amerikan sinjalizoi ndërkohë se nuk është me nxitim për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin.
“Ata janë lojtarë të mirë pokeri, por po vdesin. Nuk kam afat. Nuk jam me nxitim”, citohet të ketë thënë Trump.
Tensionet shtohen pikërisht kur po skadon memorandumi 60-ditor i mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit, i nënshkruar më 18 qershor me synimin për një armëpushim dhe rihapjen të paktën të pjesshme të Ngushticës së Hormuzit. Marrëveshja u dobësua shpejt pasi të dyja palët rifilluan sulmet.






