
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për keqmenaxhim të situatës së zjarreve në vend, duke deklaruar se flakët janë jashtë kontrollit dhe se punonjësit që luftojnë me to janë lënë pa mbështetjen e nevojshme.
Berisha u ndal veçanërisht te trajtimi i zjarrfikësve dhe forcave të tjera të angazhuara në terren. Sipas tij, ata nuk kanë marrë ende shtesat financiare të premtuara për vështirësinë dhe rrezikshmërinë e punës.
“Trajtimi i zjarrfikësve dhe punonjësve të angazhuar në shuarjen e flakëve të zjarrit është cinik, i pashpirt. Asnjë qindarkë nga premtimet dhe që i meritojnë, të shtesave për vështirësitë e mëdha përballë zjarrit, atyre gjer sot nuk u është dhënë”, deklaroi kreu i PD-së.
Berisha pretendoi gjithashtu se punonjësve në terren u mungon mbështetja e nevojshme logjistike, pavarësisht kushteve të vështira dhe rrezikut me të cilin përballen.
“Asnjë prapavijë mbështetëse për punën tmerrësisht të vështirë dhe të rrezikshme që bëjnë, nuk kanë”, tha ai.
Deklaratat e Berishës vijnë ndërsa operacionet për shuarjen e zjarreve vijojnë në disa zona të vendit.






