Merr fund arratia e Ylli Zallës, 49-vjeçarit të cilësuar nga Policia e Shtetit si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i cili kishte arritur disa herë t’u shpëtonte forcave të rendit.

Zalla u kap në Krujë gjatë një operacioni të koduar “Fundi i Arratisë”, ku morën pjesë Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të Policisë së Tiranës dhe Komisariati i Krujës.

Sipas Policisë, 49-vjeçari u lokalizua në një zonë të pyllëzuar. Në momentin e kapjes iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri kallashnikov së bashku me tre krehra.

Ylli Zalla ishte prej muajsh në fokusin e operacioneve policore. Më 14 nëntor 2025, gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia kishte gjetur një arsenal me armë, lëndë plasëse dhe municion.

Kontrollet vijuan edhe më 20 shkurt, kur në zonën përreth dhe pranë banesës së 49-vjeçarit u sekuestruan armë dhe lëndë plasëse, municion luftarak, kanabis, uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Edhe më 23 qershor, gjatë një tjetër operacioni për kapjen e tij, në banesë u gjet një pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, si dhe municion, një celular dhe një detektor frekuencash.

Pavarësisht operacioneve të mëparshme, Zalla kishte mundur t’i shmangej arrestimit. Arratia përfundoi pas lokalizimit të tij në zonën e pyllëzuar në Krujë.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu