Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë këtë të diel një vizitë zyrtare në Paris, me ftesë të Presidentit francez Emmanuel Macron, ku dy liderët do të zhvillojnë një drekë pune në Pallatin Elysee.

Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, takimi zhvillohet në kuadër të dialogut politik të nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe Francës, me fokus forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve.

Në axhendën e bisedimeve pritet të jenë procesi i integrimit europian të Shqipërisë, qasja e re ndaj zgjerimit të Bashkimit Europian, si dhe përgatitjet për samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara.

Vizita vjen në vijim të kontakteve të shpeshta mes Edi Ramës dhe Emmanuel Macron. Dy liderët janë takuar zyrtarisht në Paris në prill 2024, ndërsa Macron ka zhvilluar vizita në Tiranë në tetor 2023 dhe maj 2025. Gjithashtu, ata kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme në samite ndërkombëtare dhe përmes komunikimeve telefonike.

Qeveria shqiptare vlerëson rolin e Francës dhe angazhimin personal të Presidentit Macron në mbështetje të perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor. Vizita në Paris pritet të riafirmojë bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve dhe mbështetjen franceze për avancimin e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu