Pas rreth një jave është zbardhur vdekja e Branko Shkozës, 33-vjeçari që u gjet pa jetë në një kanal në zonën e Spitallës në Durrës.
Në pranga është vënë shoku i tij Majlind Habibi i cili dyshohet se e ka shtyrë pas një konflikti, duke e hedhur nga një urë, e duke i shkaktuar vdekjen. Sipas autorit të dyshuar, konflikti ka ndodhur për shkak se viktima i kishte ngacmuar gruan.
Ngjarja ka ndodhur në 2 dhjetor, ndërsa trupi u gjet në datën 5 dhjetor, pak metra larg banesës së viktimës. Babai i 33-vjeçarit ka deklaruar për korrespondenten e Top Channel, Vali Qyrfyçi, se autori i dyshuar e mashtroi në sy duke i thënë se nuk e dinte se ku ndodhej, ndërsa tregoi se i ka shkuar edhe në varrim.
Po ashtu babai bëri thirrje që policia e shtetit të tregojë kujdes të shtuar për këtë ngjarje, pasi para banesës së tij kalojnë familjarët e autorit, dhe ai frikësohet për ndonjë reagim në mëri e sipër të djemve të tij të tjerë.
“E pyeta autorin, ‘ka humb djali’, më pa shtrembër dhe iku, kisha katër ditë që kërkoja çunin, i kam rënë telefonit disa herë ndërkohë që zija i binte po nuk e hapte. Kemi kërkuar me efektivët ditë e natë ndërkohë që e kemi gjetur 11 metra larg shtëpisë.
Ai deklaroi se e ka hedhur nga ura, po aty nuk ka më shumë se një metër ujë dhe nuk mund të mbytet. Pinte pak çuni, por nuk ka mundësi t’i jepte fund jetës, sepse distanca nga ura dhe vendi ku u gjet është shumë larg. Ai ka qenë duke pirë me disa persona para ngjarjes, por ata kanë deklaruar se nuk dinë gjë.
Kam frikë se çunat janë të nervozuar nga situata, kërkoj që policia të na qëndrojë afër sepse familjarët e autorit kalojnë para banesës sonë. E kam takuar autorin dhe e kam pyetur, se ata rrinin bashkë prej katër vitesh dhe më ka thënë është trembur, është larguar.
Ndërkohë që kërkoja djalin ata bënin sikur nuk dinin asgjë, ndërkohë që ata e dinin. Një nga çunat e lagjes i kishte thënë shokut të babait të viktimës ‘kam katër ditë që nuk ha bukë dhe dua të tregoj të vërtetën se kush e vrau’”, ka deklaruar babai i viktimës.
Babai shprehet se dyshimet se djalin mund ta kishte vrarë shoku i tij, i lindën pasi kishte parë lëvizje të dyshimta prej tij.
“E ftova pas varrimit të vinte për drekën e vdekjes, por nuk erdhi”, ka deklaruar ai.