
Një ngjarje e rrallë ka ndodhur në kopshtin zoologjik Woodland Park Zoo në Seattle të SHBA-së, ku gorilla Olympia solli në jetë një gorillë të vogël mashkull përmes një operacioni cezarian urgjent.
Sipas drejtuesve të kopshtit zoologjik, ndërhyrja është e para e këtij lloji në historinë 126-vjeçare të institucionit.
Gorilla e vogël lindi më 24 maj dhe peshon rreth 2.4 kilogramë. Veterinerët vendosën të kryenin operacionin pasi ekzaminimet zbuluan komplikacione gjatë shtatzënisë së Olympias.

Ekografia tregoi nivel të ulët të lëngut amniotik dhe probleme me procesin normal të lindjes, çka e bëri të pamundur vazhdimin e saj në mënyrë natyrale.
Për operacionin u angazhua një ekip i përbashkët veterinerësh dhe mjekësh obstetër nga Swedish Medical Center, të cilët zakonisht trajtojnë pacientë njerëzorë.
“Falë bashkëpunimit mes mjekëve, veterinerëve dhe stafit që kujdeset për gorillat, Olympia dhe i vogli i saj janë në gjendje të mirë shëndetësore”, deklaroi Martin Ramirez, kurator i gjitarëve në Woodland Park Zoo.
Ky është i vogli i dytë i Olympias dhe gorilla e dytë që lind në këtë kopsht zoologjik brenda më pak se një jave.
Një tjetër gorillë, Jamani, solli në jetë një gorillë të vogël më 18 maj dhe aktualisht po ndihmon për kujdesin ndaj të porsalindurit, ndërsa Olympia rikuperohet nga operacioni.
Stafi i kopshtit zoologjik po monitoron 24 orë në ditë gjendjen e dy nënave dhe të vegjëlve gjatë ditëve të para pas lindjes.
Ekspertët bëjnë të ditur se në të gjithë botën janë realizuar më pak se 12 operacione cezariane te gorillat, duke e bërë këtë rast jashtëzakonisht të rrallë.
Woodland Park Zoo strehon aktualisht 13 gorilla të llojit “western lowland gorilla”, një specie e rrezikuar që jeton në pyjet tropikale të Afrikës Qendrore.






