
Virusi i gripit të shpendëve H5N1 po shkakton pasoja shkatërrimtare edhe në zonat më të izoluara të planetit. Sipas një studimi të raportuar nga BBC, rreth 13 mijë këlyshë të elefantit detar jugor kanë ngordhur në Ishullin Heard, në Oqeanin Antarktik, nga një popullatë prej rreth 17 mijë individësh.
Shkencëtarët vlerësojnë se humbja përfaqëson më shumë se 75% të të gjithë grupit, duke e bërë këtë një nga goditjet më të rënda të regjistruara ndonjëherë nga virusi H5N1 te gjitarët detarë.
Sipas studiuesve, virusi mund të jetë sjellë në arkipelag nga zogj migratorë që vijnë nga Ishujt Crozet, territor francez i vendosur rreth 1.800 kilometra larg. Përfundimet bazohen në të dhënat e mbledhura gjatë monitorimeve të kryera mes muajve tetor dhe janar.
Situata është shqetësuese edhe për specie të tjera. Studiuesit kanë konstatuar rritje të pazakontë të vdekshmërisë te disa lloje pinguinësh, ndërsa raste pozitive me H5N1 janë identifikuar te pinguinët mbretërorë, pinguinët Papua, fokat antarktike dhe disa lloje zogjsh detarë.
Ekspertët paralajmërojnë se përhapja e virusit në specie të ndryshme tregon aftësinë e H5N1 për të kaluar mes popullatave të kafshëve dhe për t’u përhapur me shpejtësi në ekosistemet polare, duke krijuar një kërcënim serioz për biodiversitetin.






