Ushtria amerikane shkatërron dronë iranianë dhe objektiva ushtarake që konsideroheshin kërcënim për trafikun detar

Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme të reja ushtarake gjatë natës ndaj objektivave në Iran, duke goditur një bazë ushtarake që sipas zyrtarëve amerikanë përbënte kërcënim për forcat amerikane dhe trafikun tregtar në Ngushticën e Hormuzit.

Lajmi u bë i ditur nga Reuters, duke cituar një zyrtar amerikan që foli në kushte anonimiteti.

Sipas tij, ushtria amerikane ka rrëzuar gjithashtu disa dronë iranianë që konsideroheshin rrezik për sigurinë detare dhe trupat amerikane në rajon.

Sulmet e reja vijnë në një moment kritik, ndërsa vazhdojnë negociatat për t’i dhënë fund luftës tre mujore mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, konflikt që ka shkaktuar mijëra viktima dhe tronditje të forta në tregjet globale të energjisë.

Presidenti amerikan Donald Trump hodhi poshtë më herët raportimet e mediave iraniane se Irani dhe Omani mund të menaxhonin së bashku trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.

Trump deklaroi se kjo rrugë strategjike detare “do të mbetet e hapur”.

Vetëm pak ditë më parë, SHBA kishte ndërmarrë sulme të tjera që i cilësoi “mbrojtëse”, duke goditur anije iraniane që dyshohej se po vendosnin mina detare dhe pozicione raketore pranë Hormuzit.

Irani i konsideroi ato sulme si shkelje të armëpushimit të brishtë mes palëve.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më strategjike të planetit, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e naftës botërore.

Tensionet në zonë kanë sjellë luhatje të forta të çmimeve të energjisë dhe shqetësim në tregjet ndërkombëtare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu