
Krijuesja e “The Handmaid’s Tale” shfaqet në një rol episodik prej pak sekondwsh në finalen e serialit të ri dystopik.
Shkrimtarja legjendare Margaret Atwood është rikthyer sërish në universin e errët të Gileadit, duke bërë një paraqitje speciale në finalen e serialit “The Testaments”.

“The Testaments” është seriali i bazuar në romanin e Atwood të publikuar në vitin 2019 dhe zhvillohet 15 vite pas ngjarjeve të “The Handmaid’s Tale”.
Ajo shfaqet pak sekonda në rolin e gardianes së burgut të grave ku mbahej një prej personazheve adoleshente.

Kjo nuk është hera e parë që Margaret Atwood shfaqet në ekran brenda botës së krijuar prej saj. Në serialin origjinal “The Handmaid’s Tale”, autorja kishte bërë një shfaqje të shkurtër që u kthye menjëherë në një moment ikonik për fansat.
Kurioziteti më interesant është se Atwood shkroi romanin “The Handmaid’s Tale” në vitin 1985, ndërsa shumë prej elementëve të botës dystopike të Gileadit sot konsiderohen nga fansat si “parashikime të frikshme” për shoqërinë moderne.
Një tjetër detaj interesant është se autorja ka deklaruar vazhdimisht se në librat e saj nuk ka shpikur asnjë formë represioni që nuk ka ekzistuar realisht në histori.
Universi i “The Handmaid’s Tale” është kthyer në një fenomen global, ndërsa kostumet e kuqe dhe kapelet e bardha të personazheve janë përdorur në protesta reale në vende të ndryshme të botës si simbol kundër kufizimit të të drejtave të grave.
Fansat kanë reaguar masivisht në rrjetet sociale pas paraqitjes së autores në finale, duke e cilësuar rikthimin e saj në Gilead si “surpriza perfekte”.
“The Testaments” pritet të vazhdojë suksesin ndërkombëtar të sagës dystopike që ka fituar çmime prestigjioze dhe miliona ndjekës në mbarë botën.






