
Moti ka ndryshuar papritur në jug të Shqipërisë. Ndërsa zona të shumta të vendit po përballen me zjarre, pasditen e së premtes Saranda, Ksamili dhe Pogradeci u goditën nga reshje të dendura shiu dhe erë e fortë.
Në Sarandë, sasia e madhe e reshjeve të rëna brenda një kohe të shkurtër bëri që uji të grumbullohej në rrugë, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e qytetarëve.
Moti i keq surprizoi edhe pushuesit, të cilët u detyruan të largoheshin nga plazhet. Reshje të dendura u regjistruan gjithashtu në Ksamil dhe përgjatë vijës bregdetare nga Borshi drejt Himarës.
Stuhi shiu goditën edhe juglindjen e vendit. Në Pogradec, reshjet intensive brenda pak minutash shkaktuan vërshimin e ujit në disa rrugë.
Pas ditëve me temperatura të larta dhe zjarre në disa qarqe, reshjet sollën një ulje të ndjeshme të temperaturave në zonat e prekura.
Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet dhe temperaturat më të ulëta pritet të vijojnë në disa zona të vendit edhe gjatë fundjavës.






