
“The Inbetweeners” rikthehet në ekran me një film të ri. Netflix ka konfirmuar zyrtarisht nisjen e punës për “The Inbetweeners 3”, me katër protagonistët e kastit origjinal që do të interpretojnë sërish personazhet e famshëm të serialit britanik.
Simon Bird, James Buckley, Blake Harrison dhe Joe Thomas do të rikthehen respektivisht si Will McKenzie, Jay Cartwright, Neil Sutherland dhe Simon Cooper. Prodhimi i filmit nis të hënën.
Netflix publikoi edhe një video të shkurtër paralajmëruese, ku katër miqtë shfaqen përsëri së bashku pranë Fiat-it të verdhë, makinës ikonike të serialit. Ata futen në automjet, por Simon fillimisht has vështirësi për ta ndezur, përpara se grupi të largohet.
Filmi i ri vjen 12 vjet pas “The Inbetweeners 2”, të publikuar në vitin 2014. Historia e katër personazheve nisi me serialin e transmetuar në E4 nga viti 2008 deri më 2010, i cili pati tre sezone dhe u shndërrua në një nga komeditë britanike më të njohura të brezit të tij.
Suksesi i serialit solli filmin e parë në vitin 2011, ku grupi udhëtonte drejt Kretës në Greqi. Në filmin e dytë, të publikuar më 2014, aventura zhvendosej në Australi.
Krijuesit Damon Beesley dhe Iain Morris do të rikthehen gjithashtu për të shkruar dhe drejtuar filmin e tretë.
Ende nuk është bërë i ditur kasti i plotë. Mbetet për t’u parë nëse Emily Atack do të rikthehet si Charlotte Hinchcliffe dhe Emily Head si Carli D’Amato.
Netflix nuk ka njoftuar ende datën e publikimit të “The Inbetweeners 3”.






