Kryeministri Edi Rama prezantoi programin “Rilindja Urbane 2.0”, një paketë të re investimesh me vlerë 1.5 miliardë euro, që synon zhvillimin e qyteteve, përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e cilësisë së jetës në të gjithë vendin.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, ku pritshmëritë e qytetarëve janë më të larta dhe kërkojnë standarde më të mira.

Sipas tij, faza e parë e Rilindjes Urbane përmbushi misionin e saj duke nxjerrë qytetet nga degradimi dhe duke transformuar hapësirat publike.

“Rilindja urbane ishte dalja nga rrënimi dhe degradimi që ishte kudo. Sheshet, rrugët, ndriçimi, shkollat, çerdhet dhe investimet në ujësjellës-kanalizime i përkisnin një faze kur shqiptarët filluan të besonin se Shqipëria mund të ishte një vend i bukur për të jetuar dhe për t’u vizituar”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se sot sfida nuk është më ndërtimi i infrastrukturës bazë, por kalimi drejt një modeli të ri zhvillimi urban.

“Sa më shumë përmirësohen kushtet, aq më shumë bie në sy ajo që mungon. Kjo nuk është mosmirënjohje, por rritje e pritshmërive për standarde më të larta”, deklaroi ai.

Rama kujtoi edhe ndryshimet e viteve të para të transformimit të Tiranës, duke thënë se dikur mbjellja e një peme ishte një ngjarje për qytetarët.

“Na kujtohet kur mbillnim një pemë në Tiranë, ishte sikur jepnim shfaqje. Njerëzit ndalonin dhe shikonin pemët”, tha kryeministri.

Në të njëjtin aktivitet, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, prezantoi projektet kryesore të programit. Sipas tij, paketa parashikon 22 projekte konkrete për bashkitë, krijimin e 70 muzeve bashkiakë, investime prej 120 milionë eurosh për zgjidhjen e problematikës së parkimit në qytete dhe 150 milionë euro deri në vitin 2030 për menaxhimin e mbetjeve dhe mbrojtjen e mjedisit.

Sipas qeverisë, programi “Rilindja Urbane 2.0” synon të shoqërojë fazën e re të zhvillimit të vendit, me fokus në planifikimin urban, mbështetjen e bashkive, zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e standardeve të jetesës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu