Ajo që deri dje konsiderohej një manikyr i bërë keq, tani po kthehet në një tendencë të re të modës. Në Javën e Modës në Paris, Miu Miu ka tërhequr vëmendjen me modelet që parakaluan në pasarelë me manikyr të kuq të aplikuar qëllimisht në mënyrë të çrregullt.

Për koleksionin pranverë-verë 2027, shtëpia italiane e modës, nën drejtimin krijues të Miuccia Prada, zgjodhi një stil që duket sikur manikyri është vendosur pa kujdes, duke kaluar përtej kufijve të thonjve dhe duke mbuluar edhe kutikulat e një pjesë të lëkurës së gishtave.

Por pas kësaj pamjeje në dukje të pakujdesshme qëndron puna e artistes së njohur japoneze të thonjve, Mei Kawajiri, e cila jeton dhe punon në Nju Jork.

Sipas saj, ky stil është një kundërpërgjigje ndaj estetikës së përsosur që ka dominuar vitet e fundit industrinë e bukurisë.

“Stili ‘clean girl’ ka pasur momentin e tij të lavdisë, por ky është krejtësisht e kundërta e asaj tendence. Më në fund! Bukuria gjendet te të qenët autentik dhe jo i përsosur”, ka shpjeguar artistja.

Manikyri i ri, i cilësuar si “messy nails”, karakterizohet nga thonjtë e shkurtër, ngjyra e kuqe e shpërndarë në mënyrë të parregullt dhe mungesa e përpjekjes për një përfundim të përsosur.

Zgjedhja e Miu Miu është interpretuar si një mesazh për të çliruar gratë nga presioni i pamjes gjithmonë të kuruar, duke i nxitur të eksperimentojnë dhe të mos druhen nga gjykimi i të tjerëve.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ky manikyr i pazakontë do të dalë nga pasarelat për t’u kthyer në një tendencë të përditshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu