
Ndryshimet e temperaturave po prishin ritmin biologjik të arinjve të zinj, duke rritur rrezikun që ata të dalin nga letargjia përpara kohe dhe të afrohen më shpesh pranë zonave të banuara në kërkim të ushqimit.
Një studim i Virginia Tech, i publikuar në “Proceedings of the Royal Society B: Biological Sciences”, ka analizuar mekanizmat që përcaktojnë se kur arinjtë e murrmë hyjnë dhe dalin nga letargjia.
Studiuesit shqyrtuan rreth 22 mijë orë filmime të realizuara në Black Bear Research Facility, duke u përqendruar veçanërisht te katër arinj femra shtatzëna. Në total u identifikuan 45 sjellje të ndryshme të lidhura me letargjinë.
Rezultatet tregojnë se temperatura e jashtme luan një rol të rëndësishëm në përcaktimin e momentit kur arinjtë hyjnë në letargji. Por zgjimi është më kompleks.
Për të dalë nga letargjia, arinjtë orientohen nga një kombinim mes temperaturës dhe fotoperiodës, pra kohëzgjatjes së ditës dhe natës. Kur ditët fillojnë të zgjaten, organizmi i tyre nis të përgatitet për rikthimin në aktivitet.
Problemi është se këta dy faktorë nuk ndryshojnë në të njëjtën mënyrë. Kohëzgjatja e ditës mbetet e parashikueshme, ndërsa temperaturat mund të luhaten fort. Dimrat më të ngrohtë ose ardhja e hershme e temperaturave pranverore mund të krijojnë një mospërputhje mes “orës biologjike” të arinjve dhe kushteve reale në natyrë.
Nëse arinjtë zgjohen përpara se burimet e tyre tradicionale të ushqimit të jenë të disponueshme, ata mund të dalin nga letargjia të uritur dhe të kërkojnë alternativa.
Pikërisht këtu lind edhe rreziku për njerëzit. Në kërkim të ushqimit, arinjtë mund të afrohen më shumë pranë vendbanimeve, duke rritur mundësinë e takimeve të padëshiruara mes tyre dhe njerëzve.
Studimi tregon kështu se ndryshimet e temperaturave nuk ndikojnë vetëm te kohëzgjatja e letargjisë, por mund të ndryshojnë edhe marrëdhënien mes kafshëve të egra, burimeve të ushqimit dhe zonave të banuara.






