Policia e Shtetit ndodhet përballë një paradoksi që bëhet edhe më i vështirë për t’u shpjeguar në një periudhë kur rendi dhe siguria kërkojnë institucione të konsoliduara dhe një zinxhir të qartë drejtimi, të zgjedhur në mënyrë ligjore mbi bazën e meritës.

Konkursi për drejtorët e departamenteve është anuluar dy herë, ndërsa një pjesë e strukturave drejtuese vijojnë të funksionojnë me zyrtarë të komanduar, duke cenuar shumë rëndë besueshmërinë dhe meritokracinë.

Dhe pyetja është fare e thjeshtë: ku ngeli konkursi? Procesi i konkursit është hapur dhe ndërprerë dy herë. Herën e parë, kur në krye të Policisë së Shtetit ishte Ilir Proda, anulimi u argumentua me ndryshimet strukturore që po përgatiteshin.

Një shpjegim që, të paktën në atë moment, mund të kishte një logjikë institucionale. Ishte hera e parë që konceptohej vendosja e drejtorëve të departamenteve sipas një strukture të re, e cila prezantohej si një riorganizim i rëndësishëm i Policisë së Shtetit.

Por konkursi u hap sërish dhe përfundimi ishte përsëri i njëjtë: për habinë e të gjithëve në Policinë e Shtetit, procesi nuk shkoi deri në fund. Këtë herë, kjo po ndodh nën drejtimin e Skënder Hitës! dhe si argument për anulimin u përdorën ndryshimet ligjore.

Pikërisht këtu lindin edhe pikëpyetjet më të mëdha.

Nëse procedura e konkurrimit mund të përfundonte përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore dhe nëse këto ndryshime nuk cenonin drejtpërdrejt procesin e nisur, atëherë përse duhej anuluar konkursi? Dhe, përveç kësaj, përse pas miratimit të ndryshimeve ligjore procedura nuk u rikthye menjëherë? Ligji ndryshoi, kushtet u plotësuan, por konkursi u “harrua”.

Anulim apo pezullim?

Ka edhe një çështje tjetër që nuk është kaq e thjeshtë për t’u anashkaluar. Në një procedurë ku faza e aplikimeve është mbyllur dhe kandidatët kanë hyrë në një proces konkurrimi, anulimi i plotë dhe rihapja eventuale e garës nga zero mund të ngrenë pikëpyetje mbi barazinë e kandidatëve dhe sigurinë e vetë procedurës. Nëse shkaku që pengonte vazhdimin ishte i përkohshëm, lind pyetja nëse zgjidhja më proporcionale do të kishte qenë pezullimi i procesit deri në sqarimin e bazës ligjore dhe më pas vijimi me kandidatët që kishin aplikuar. Sepse rihapja e një konkursi pasi janë njohur aplikantët e raundit të parë krijon, me të drejtë ose jo, një perceptim të pakëndshëm se: “Këta nuk na përshtatën, nuk na pëlqejnë, ta provojmë edhe një herë”.

Nuk ka arsye që ky të konsiderohet domosdoshmërisht motivi real. Por institucionet serioze nuk kanë vetëm detyrimin të jenë të paanshme; ato duhet të ndërtojnë procedura që nuk lënë hapësirë as për dyshimin se gara mund të përsëritet derisa të dalë rezultati i dëshiruar.

Strukturat ndryshojnë, drejtuesit ende priten

Ndërkohë që konkursi, i cili duhej të kishte marrë një përgjigje, duket se ka kaluar në plan të dytë, në skenë kanë dalë përsëri ndryshimet strukturore në Policinë e Shtetit. Kjo krijon një tjetër paqartësi të madhe.

Struktura po projektohet, ndryshohet dhe riorganizohet, ndërsa drejtuesit që do të duhet ta zbatojnë atë nuk janë zgjedhur ende përmes procesit të paralajmëruar konkurrues dhe vazhdohet me stilin e vjetër, i cili ka treguar rezultate problematike.

Nëse drejtorët e rinj të departamenteve do të kenë përgjegjësi reale menaxheriale dhe strategjike, sa kuptim ka që ata të marrin në dorë një strukturë të konceptuar tërësisht pa pjesëmarrjen dhe vizionin e tyre?

Policia e Shtetit ka njohur ndër vite ristrukturime të shumta, krijim dhe shkrirje strukturash, ndryshime emërtimesh dhe kompetencash. Por ndryshimi i organigramës nuk është reformë në vetvete. Reforma matet me funksionimin e institucionit, përgjegjësinë e drejtuesve dhe rezultatet që prodhon në terren. Në të kundërt, rrezikohet që struktura të ushqejë strukturën dhe riorganizimi të bëhet qëllim në vetvete.

Në një sezon protestash dhe sfida sigurie, Policia nuk mund të sillet sikur është kohë normale

Problemi bëhet edhe më i ndjeshëm për shkak të momentit në të cilin ndodhet vendi. Në një periudhë protestash dhe tensionesh publike, sfida sigurie dhe në një moment kur kërkohet një stad tjetër rezultatesh, si pjesë e rrugës së shpejtë drejt hyrjes në BE, Policia e Shtetit është një nga institucionet që duhet të jetë më e konsoliduar se kurrë.

Vendimmarrja duhet të jetë e qartë, përgjegjësitë të përcaktuara dhe drejtuesit të kenë autoritet të plotë institucional. Nuk është një kohë normale administrimi, ku një konkurs mund të futet në sirtar dhe të pritet pa afat.

Kur shteti duhet të jetë në këmbë, është e vështirë të justifikohet që nivele të rëndësishme të Policisë të vazhdojnë të mbështeten te formula e komandimit të përkohshëm. Një drejtues i komanduar mund ta kryejë detyrën me profesionalizëm të plotë dhe problemi nuk është thjeshtë individi.

Problemi mbetet sistemi. Komandimi është një zgjidhje kalimtare, jo një mënyrë e përhershme e administrimit të një institucioni kaq të rëndësishëm. Përkohshmëria e zgjatur dobëson përgjegjshmërinë, krijon pasiguri në zinxhirin drejtues dhe, mbi të gjitha, e bën të paqartë se kush do të mbajë përgjegjësi për rezultatet e një strukture që ndërkohë vazhdon të ndryshojë.

Konkursi kërkon një përgjigje, jo një justifikim të tretë

Pas dy anulimeve, çështja nuk mund të konsiderohet më një episod teknik i administratës së Policisë. Duhet shpjeguar publikisht se çfarë ndodhi me kandidatët që aplikuan, cilat dispozita ligjore e bënë të pamundur vazhdimin e procedurës, përse u zgjodh anulimi dhe jo pezullimi dhe, mbi të gjitha, kur do të zhvillohet konkursi i ri.

Nëse çdo ndryshim bëhet arsye për të shtyrë garën, mënyra e zgjedhjes së drejtuesv rrezikon të mbetet gjithmonë një hap pas reformës. Pas dy proceseve të ndërprera, Policia e Shtetit nuk ka nevojë për një justifikim të tretë. Ka nevojë për drejtues të zgjedhur përmes një gare të qartë, transparente dhe të përfunduar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu