Gazetarja Anila Hoxha ka ngritur shqetësimin për mungesën e aksesit për personat me aftësi të kufizuara në ambientet e jashtme të Gjykatës së Posaçme, duke publikuar rastin e një qytetari në karrocë që është paraqitur si dëshmitar dhe ka hasur vështirësi për të hyrë në godinë.

Sipas gazetares, ambientet e reja të GJKKO-së u inauguruan më 11 maj 2026, pas një investimi prej 104 milionë lekësh të alokuar nga AAPSK, por në pjesën e jashtme të godinës nuk është ndërtuar rampë për personat me aftësi të kufizuara.

Hoxha ironizon prioritetet e institucionit, duke e lidhur mungesën e infrastrukturës bazë me hyrjen në fuqi të rregullores së re të sigurisë, e cila ka shkaktuar reagime për kufizimet që vendos ndaj gazetarëve.

“Sic duket ‘strategët’ ishin të zënë me hartimin e rregullores që censuron praninë e medias në gjykatë”, shkruan gazetarja.

Në reagimin e saj, Hoxha ndalet gjerësisht edhe te standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke argumentuar se publiciteti i proceseve gjyqësore është një nga garancitë kryesore të kontrollit demokratik mbi drejtësinë.

Sipas saj, filozofia e rregullores së re të GJKKO-së rrezikon ta zhvendosë balancën nga transparenca drejt kontrollit administrativ dhe sigurisë, duke e trajtuar median më shumë si një element risku sesa si “rojtare publike” të demokracisë.

Gazetarja sjell në vëmendje një sërë vendimesh të GJEDNJ-së, mes tyre Axen kundër Gjermanisë, Riepan kundër Austrisë, Axel Springer AG kundër Gjermanisë dhe Sunday Times kundër Mbretërisë së Bashkuar, për të argumentuar se kufizimet ndaj medias dhe publikut duhet të jenë të parashikuara me ligj, të nevojshme dhe proporcionale.

“Strasburgu nuk e sheh median si një faktor që duhet kontrolluar. E sheh si një instrument përmes të cilit qytetarët kontrollojnë gjykatat”, thekson Hoxha.

Rregullorja e re e GJKKO-së, e cila hyn në fuqi këtë 1 shtator, ka shkaktuar kundërshtime edhe nga gazetarët dhe përfaqësues të medias për kufizimet e vendosura në përdorimin e telefonave dhe aksesin gjatë proceseve gjyqësore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu