Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë, 2 shtator 2026, një paketë vendimesh dhe projektligjesh që prekin disa fusha, nga administrimi i ndërtimeve pa leje dhe rindërtimi, te ekonomia malore, mjedisi dhe marrëveshjet tatimore me Gjermaninë dhe Lituaninë.

Një prej projektligjeve të miratuara parashikon ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 66/2023, që rregullon administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje. Ligji lidhet me përdorimin e këtyre objekteve për interes publik ose strehim social, si dhe me zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara.

Qeveria ka ndërhyrë gjithashtu në vendimin për përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e riforcimit të banesave individuale dhe apartamenteve në pallate në bashkitë Tiranë, Durrës, Shijak, Lezhë dhe Krujë.

Ndryshime janë miratuar edhe për zonat me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Shijak, duke ndërhyrë në vendimin e miratuar në nëntor të vitit 2025.

Në fushën e mjedisit, Këshilli i Ministrave miratoi listën e veprimtarive që konsiderohen të rrezikshme për mjedisin, si dhe kriteret mbi të cilat do të bëhet vlerësimi i kërcënimit të mundshëm dhe përcaktimi i dëmit mjedisor.

Një tjetër vendim përcakton kriteret për dhënien e Medaljes së Shërbimit të Rendit Publik.

Në mbledhje janë miratuar edhe dy projektligje që lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare në fushën fiskale.

I pari parashikon ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Lituanisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë mbi të ardhurat dhe kapitalin, si dhe parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor.

Projektligji tjetër ratifikon protokollin që ndryshon marrëveshjen e vitit 2010 mes Shqipërisë dhe Gjermanisë për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe evazionit fiskal lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin.

Vendimet dhe projektligjet u miratuan në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 2 shtator 2026.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu