
Mesazhi “Freedom for the Liberators” do të shfaqet më 7 shtator në ekranet e Times Square në New York, në prag të verdiktit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Nismën e ka bërë të ditur veprimtari i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, Shpend Gjocaj, i cili publikoi edhe konfirmimin nga “Welcome to Times Square”.
Sipas njoftimit, grafika me mbishkrimin “Freedom for the Liberators” do të shfaqet për 15 deri në 30 sekonda në çdo orë gjatë 7 shtatorit.

Aktiviteti në New York është pjesë e një serie organizimesh të paralajmëruara në Kosovë dhe jashtë saj përpara shpalljes së vendimit në Hagë.
Në Kosovë, më 12 shtator në orën 14:00 do të zhvillohet “Marshi për Liri”, i cili do të nisë nga sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë.
Platforma “Liria ka Emër” ka nisur ndërkohë nismën mbarëkombëtare “Kosova po pret”, që përfshin aktivitete në disa zona të vendit. Mes tyre janë “Netët e Lirisë”, me ndezjen e zjarreve simbolike në shtatë zonat operative të dikurshme të UÇK-së, si dhe vendosjen e flamujve kombëtarë dhe emblemës së UÇK-së.
Më 5 shtator, “Zjarri i Lirisë” u ndez në Llap në praninë e ish-komandantëve dhe veteranëve, ndërsa për mbrëmjen e 6 shtatorit është paralajmëruar një tjetër tubim në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan.
Mobilizimi pritet të zhvendoset më pas edhe në Hagë. Sipas planit të publikuar, mbështetësit do të mblidhen atje duke nisur nga ora 22:00 e 15 shtatorit dhe do të qëndrojnë deri në fillimin e seancës së 16 shtatorit, kur pritet verdikti.






