
Greqia ka nisur zyrtarisht punimet për autostradën e re Janinë–Kakavijë, një nga projektet më të rëndësishme rrugore për lidhjen me Shqipërinë. Me përfundimin e saj, udhëtimi nga Athina deri në kufirin shqiptar pritet të reduktohet në rreth 4 orë e 30 minuta.
Në terren kanë nisur punimet përgatitore, me pastrimin e zonës, punimet tokësore dhe nivelimin e trasesë me mjete të rënda.
Kontrata për projektin, me vlerë 310 milionë euro me TVSH, është nënshkruar në dhjetor 2024. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Infrastrukturës në Greqi, Dimitris Anagnopulos, punimet pritet të përfundojnë brenda katër viteve.
Autostrada Janinë–Kakavijë do të jetë 70 kilometra e gjatë dhe do të shërbejë si vazhdim i Autostradës Joniane deri në pikën kufitare me Shqipërinë. Aksi është pjesë e rrjetit kryesor europian të transportit TEN-T.
Projekti ndahet në dy segmente. Janinë–Kalpak do të jetë 46.4 kilometra me trase të re dhe gjashtë nyje rrugore, ndërsa segmenti Kalpak–Kakavijë, 23.1 kilometra, do të realizohet përmes modernizimit të rrugës ekzistuese.
Rruga është projektuar për një shpejtësi prej 100 kilometrash në orë, me dy korsi në secilin drejtim dhe korsi emergjence. Gjerësia totale do të arrijë në 22.25 metra.
Ndryshimi më i madh pritet të ndihet te koha e udhëtimit. Aktualisht, sipas të dhënave të publikuara, rruga nga Kakavija drejt Athinës kërkon të paktën gjashtë orë dhe, në varësi të trafikut, mund të zgjasë deri në tetë apo nëntë orë.
Autostrada e re do të lidhë më mirë Shqipërinë me rrjetin rrugor grek, si dhe do të krijojë akses më të shpejtë drejt Janinës, porteve të Igumenicës dhe Patrës dhe zonave të tjera të Greqisë.
Projekti pritet të ketë rëndësi të veçantë edhe për lëvizjen ndërkufitare, turizmin dhe shkëmbimet ekonomike mes Shqipërisë dhe Greqisë.






