
Më shumë se 150 mijë pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në Indonezi pasi shpërthimi i vullkanit Anak Krakatau detyroi autoritetet të pezullonin përkohësisht operacionet në tetë aeroporte.
Aeroporti ndërkombëtar Soekarno-Hatta i Xhakartës ishte i pari që u mbyll mëngjesin e së dielës, pasi hiri vullkanik u diktua në hapësirën ajrore pranë tij.
Ministri i Transportit, Dudy Purwagandhi, deklaroi se të paktën 712 fluturime janë prekur dhe u kërkoi kompanive ajrore të shqyrtojnë devijimin e avionëve drejt aeroporteve të tjera.
Anak Krakatau kishte nisur aktivitetin shpërthyes që të premten në mbrëmje, i shoqëruar nga aktivitet sizmik i vazhdueshëm, shatërvanë llave dhe shpërthime të fuqishme. Autoritetet raportuan edhe dy shpërthime të tjera të dielën në mëngjes.
Hiri vullkanik është ngritur në lartësi të mëdha. Sipas agjencisë meteorologjike indoneziane BMKG, ai arriti deri në rreth 6 mijë metra mbi Java dhe deri në 15 mijë metra në drejtim të Sumatrës.

Problemet kanë goditur veçanërisht fluturimet drejt dhe nga Singapori, por janë prekur edhe linja ndërkombëtare që lidhin Indonezinë me Dohën, Sidnein dhe Kuala Lumpurin.
Autoritetet u kanë kërkuar kompanive ajrore të përshpejtojnë rimbursimin e pasagjerëve të prekur dhe të informojnë në kohë udhëtarët për të shmangur mbipopullimin e aeroporteve.
Shpërthimi ka ndikuar edhe në jetën e banorëve. Autoritetet shëndetësore u kanë kërkuar njerëzve në zonat e prekura të qëndrojnë brenda dhe të përdorin maska për t’u mbrojtur nga problemet me frymëmarrjen, sytë dhe lëkurën. Disa shkolla kanë pezulluar aktivitetet për shkak të hirit.
Nuk është lëshuar alarm për cunami.
Anak Krakatau, që do të thotë “Fëmija i Krakatoas”, u formua në kalderën e krijuar pas shpërthimit katastrofik të Krakatoas në vitin 1883. Në dhjetor 2018, shembja e një pjese të vullkanit shkaktoi një cunami që vrau më shumë se 400 persona dhe plagosi e zhvendosi mijëra të tjerë në brigjet e Sumatrës dhe Javës.






