
Kryeministri Edi Rama ka ftuar drejtuesit e institucioneve të drejtësisë në një tryezë të përbashkët pune për të diskutuar sistemin e pagave të magjistratëve.
Rama thotë se synimi është gjetja e një zgjidhjeje afatgjatë, e cila të garantojë njëkohësisht pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe ekuilibrin e përgjithshëm të piramidës së pagave në shtet.
Në tryezë, sipas kryeministrit, do të ftohen edhe ekspertë të Këshillit të Europës dhe përfaqësues të Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë.
Rama thekson se magjistratët gëzojnë sot një nivel të lartë pavarësie dhe ndër pagat më të larta në vend dhe në rajon, duke e lidhur këtë me reformën në drejtësi dhe vendimet e shumicës qeverisëse.
Kryeministri këmbëngul se qeveria nuk kërkon konflikt me pushtetin gjyqësor, por bashkëpunim institucional duke respektuar pavarësinë e secilit pushtet.
Sipas tij, edhe mosmarrëveshjet për pagat duhet të trajtohen “me urtësi dhe durim”, për të dhënë një shembull institucional ndaj qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.






