Një deklaratë e ministrit të Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shasivari, për procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë ka shkaktuar reagime politike, duke e detyruar atë të dalë me një sqarim të dytë.

Në reagimin e parë, Shasivari u shpreh se më 16 shtator duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Speciale, duke theksuar se deklaratat politike nuk mund të zëvendësojnë vlerësimin gjyqësor të provave dhe as të paragjykojnë fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve.

Sipas tij, Kosova, nëse synon standardet evropiane, nuk mund të zgjedhë se cilat viktima duhet të dëgjohen dhe cilat të harrohen, ndërsa drejtësia duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë.

Deklarata solli reagimin e ashpër të sekretarit të përgjithshëm të BDI-së, Arbër Ademi, i cili e akuzoi ministrin se kishte dalë kundër marshit në mbështetje të UÇK-së. Ademi e quajti Shasivarin “palo-ministër”, ndërsa e akuzoi se hesht përballë pjesëtarëve të qeverisë që, sipas tij, glorifikojnë Ratko Mladiçin.

Pas kritikave, Shasivari reagoi përsëri, duke deklaruar se fjalët e tij po “shtrembërohen dhe keqinterpretohen”.

Ministri theksoi gjithashtu se ai nuk ka qenë mes atyre që kanë mbështetur apo siguruar votat për krijimin e Gjykatës Speciale, duke tentuar të distancohet nga interpretimi se deklarata e tij ishte një qëndrim kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Polemika vjen një ditë pas “Marshit për Liri” në Prishtinë, ku mijëra qytetarë kërkuan drejtësi dhe lirimin e ish-drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu