Ndeshje e çmendur në Reggio Emilia, ku Sassuolo ka mposhtur Juventusin 3-2, duke i shkaktuar skuadrës së Luciano Spallettit humbjen e parë të sezonit në Serie A.

Pas një pjese të parë pa gola, gjithçka shpërtheu në 30 minutat e fundit. Sebastiano Esposito kaloi Sassuolon në avantazh në minutën e 65-të, pas asistit të Nemanja Matiç.

Juventusi reagoi dhe protagonist u bë Edon Zhegrova. Futbollisti i Kosovës, i aktivizuar në minutën e 60-të, barazoi në të 82-ën, duke përfituar nga një dalje jo e mirë e portierit Muriç.

Fundi ishte dramatik. Kieron Bowie shënoi për 2-1 në minutën e 89-të, por vetëm dy minuta më vonë Zhegrova goditi përsëri. Pas një kombinimi me Kolo Muani, kosovari realizoi golin e dytë personal dhe riktheu baraspeshën, 2-2.

Kur dukej se Juventusi kishte shpëtuar të paktën një pikë, erdhi goditja vendimtare. Në minutën 90+4, Vasilije Adžić, ish-lojtar i Juventusit, shënoi golin e fitores 3-2 për Sassuolon.

Një mbrëmje e hidhur për bardhezinjtë, por e madhe për Zhegrovën, i cili realizoi dy gola brenda nëntë minutave pasi e nisi ndeshjen nga stoli.

Me këtë fitore Sassuolo arrin Juventusin në kuotën e 7 pikëve, ndërsa skuadra e Spallettit pëson humbjen e parë në katër javët e para të kampionatit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu