Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje të reja për Reformën Administrative-Territoriale, duke konfirmuar bashkimet që parashikohen për bashkitë e qarkut të Elbasanit.

Sipas Ramës, reforma do të sjellë bashkimin e Elbasanit me Cërrikun dhe Belshin, ndërsa Librazhdi do të bashkohet me Prrenjasin. Kryeministri argumenton se ndryshimet do të krijojnë premisa të reja për zhvillim ekonomik dhe social.

Nga Elbasani, Rama iu përgjigj edhe kundërshtimeve që kanë shoqëruar propozimin, duke i krahasuar ato me debatet e vitit 2015, kur u realizua reforma e parë territoriale.

“Të njëjtat frikëra, të njëjtat dyshime, ngurrime. Koha tregoi që ishin frikëra dhe dyshime të pabazuara, sepse të gjitha komunat përfituan më shumë nga bashkimi”, tha Rama.

Kryeministri sqaroi se bashkitë që do të bashkohen nuk do të shndërrohen thjesht në njësi administrative të bashkive më të mëdha. Sipas modelit të ri, parashikohet krijimi i qytetit si një nivel administrimi, mes bashkisë dhe njësive administrative.

“Në qoftë se Prrenjasi do të bashkohet me Librazhdin, Prrenjasi nuk do të jetë njësi administrative e Bashkisë së Librazhdit. Ashtu sikundër Cërriku dhe Belshi, duke u bashkuar me Elbasanin, nuk do të jenë njësi administrative të Elbasanit”, shpjegoi ai.

Rama garantoi gjithashtu se asnjë prej shërbimeve ekzistuese nuk do të shkurtohet. Sipas tij, synimi është pikërisht i kundërt: bashkitë e reja dhe më të mëdha të kenë kapacitete për të ushtruar më shumë funksione dhe për të ofruar më shumë shërbime.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu