Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndodhet jashtë Shqipërisë, ndërsa Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj saj masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra.

Masa nuk është ekzekutuar ende, pasi Hyseni ndodhet në Baku të Azerbajxhanit, ku merr pjesë në një konferencë me drejtues të shërbimeve informative nga vende të ndryshme.

Hyseni dyshohet për dy vepra penale: “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.

Hetimi ndaj drejtueses së SHISH është pjesë e një fraksioni të ri të çështjes që lidhet me biznesmenin Ergys Agasi dhe dosjen AKSHI. Materialet e sekuestruara nga SPAK në zyrën e Agasit, si edhe të dhëna të administruara nga telefoni i Uljan Shpatarakut, dyshohet se kanë çuar hetuesit drejt drejtueses së inteligjencës shqiptare.

Në kuadër të të njëjtit operacion, BKH ka kontrolluar banesën dhe ka ushtruar kontroll personal ndaj ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Ky i fundit është paraqitur më pas në SPAK, ku është marrë në pyetje dhe më pas është larguar.

Operacioni ka sjellë edhe dy arrestime. Në pranga është vënë Fatjon Kalluçi, shef i Laboratorit Shkencor të Policisë së Shtetit, si dhe Embro Sulejmani, i cili punonte si kryekamerier në një lokal pranë rezidencave qeveritare në Durrës.

Sulejmani dyshohet se ka fshirë pamje të kamerave të sigurisë që mund të dokumentonin takime të Ergys Agasit në këto ambiente. Hetimet vijojnë, ndërsa personat nën hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu