
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka paralajmëruar se temperaturat rekord dhe verat gjithnjë e më të gjata po rrisin ndjeshëm rrezikun e përhapjes së sëmundjeve infektive në të gjithë Evropën.
Sipas agjencisë evropiane, nuk janë vetëm valët e të nxehtit që përbëjnë shqetësim, por temperaturat e larta të zgjatura, të cilat krijojnë kushte ideale për përhapjen e baktereve dhe vektorëve të sëmundjeve.
ECDC identifikon katër rreziqet kryesore për shëndetin publik gjatë kësaj vere:
- Sëmundjet e transmetuara nga ushqimi, pasi temperaturat e larta favorizojnë shumëfishimin e baktereve në ushqime. Agjencia rekomandon larjen e frutave dhe perimeve, si dhe gatimin e plotë të mishit.
- Vibrioza, një infeksion bakterial që lidhet me ujërat bregdetare të ngrohta dhe me kripësi të ulët. Ekspertët këshillojnë shmangien e notit nëse ka plagë të hapura dhe konsumimin vetëm të prodhimeve të detit të gatuara mirë.
- Sëmundjet e transmetuara nga mushkonjat, si Ethet hemorragjike, Chikungunya dhe virusi West Nile, të cilat po përhapen në zona ku më parë ishin të rralla. ECDC rekomandon përdorimin e repelentëve, rrjetave kundër insekteve dhe eliminimin e ujërave të ndenjura pranë banesave.
- Sëmundjet e transmetuara nga rriqrat, përfshirë sëmundjen Lyme dhe encefalitin nga rriqrat (TBE), të cilat mund të shkaktojnë komplikacione afatgjata. Agjencia këshillon veshje mbrojtëse gjatë qëndrimit në natyrë, kontrollin e trupit pas shëtitjeve dhe vaksinimin kundër TBE-së, aty ku është i disponueshëm.
ECDC thekson se ndryshimet klimatike po e bëjnë të domosdoshme një bashkëpunim më të ngushtë mes sektorëve të shëndetit, mjedisit dhe veterinarisë, sipas qasjes “One Health”, për të përballuar rreziqet në rritje për shëndetin publik.






