Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka paralajmëruar se temperaturat rekord dhe verat gjithnjë e më të gjata po rrisin ndjeshëm rrezikun e përhapjes së sëmundjeve infektive në të gjithë Evropën.

Sipas agjencisë evropiane, nuk janë vetëm valët e të nxehtit që përbëjnë shqetësim, por temperaturat e larta të zgjatura, të cilat krijojnë kushte ideale për përhapjen e baktereve dhe vektorëve të sëmundjeve.

ECDC identifikon katër rreziqet kryesore për shëndetin publik gjatë kësaj vere:

  • Sëmundjet e transmetuara nga ushqimi, pasi temperaturat e larta favorizojnë shumëfishimin e baktereve në ushqime. Agjencia rekomandon larjen e frutave dhe perimeve, si dhe gatimin e plotë të mishit.
  • Vibrioza, një infeksion bakterial që lidhet me ujërat bregdetare të ngrohta dhe me kripësi të ulët. Ekspertët këshillojnë shmangien e notit nëse ka plagë të hapura dhe konsumimin vetëm të prodhimeve të detit të gatuara mirë.
  • Sëmundjet e transmetuara nga mushkonjat, si Ethet hemorragjike, Chikungunya dhe virusi West Nile, të cilat po përhapen në zona ku më parë ishin të rralla. ECDC rekomandon përdorimin e repelentëve, rrjetave kundër insekteve dhe eliminimin e ujërave të ndenjura pranë banesave.
  • Sëmundjet e transmetuara nga rriqrat, përfshirë sëmundjen Lyme dhe encefalitin nga rriqrat (TBE), të cilat mund të shkaktojnë komplikacione afatgjata. Agjencia këshillon veshje mbrojtëse gjatë qëndrimit në natyrë, kontrollin e trupit pas shëtitjeve dhe vaksinimin kundër TBE-së, aty ku është i disponueshëm.

ECDC thekson se ndryshimet klimatike po e bëjnë të domosdoshme një bashkëpunim më të ngushtë mes sektorëve të shëndetit, mjedisit dhe veterinarisë, sipas qasjes “One Health”, për të përballuar rreziqet në rritje për shëndetin publik.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu