
Industria automobilistike europiane po kërkon një rrugëdalje nga një prej periudhave më të vështira të dekadave të fundit, ndërsa rritja e shpenzimeve ushtarake po hap një treg të ri për fabrikat që sot kanë kapacitete të pashfrytëzuara.
Ford është ndër kompanitë që po tentojnë të hyjnë më fuqishëm në sektorin e mbrojtjes. Kompania, së bashku me General Dynamics dhe Ricardo, synon një kontratë të Ministrisë britanike të Mbrojtjes për furnizimin e ushtrisë me 9 mijë automjete të lehta ushtarake gjatë pesë deri në shtatë viteve të ardhshme.
Por Ford nuk është i vetëm. Renault ka arritur një marrëveshje strategjike me kompaninë e mbrojtjes Thales për prodhimin e dronëve ushtarakë, me synimin për të arritur deri në 1 mijë njësi në muaj. Volkswagen, ndërkohë, ka rënë dakord që një fabrikë e pashfrytëzuar në Osnabrück të shndërrohet në qendër prodhimi për industrinë ushtarake.
Edhe Jaguar Land Rover po konkurron për kontratën britanike të automjeteve ushtarake dhe ka krijuar një njësi të posaçme për aktivitetin e saj në sektorin e mbrojtjes.
Kthesa vjen në një moment kur prodhuesit europianë të makinave po përballen me konkurrencën gjithnjë e më të fortë të kompanive kineze, veçanërisht në tregun e automjeteve elektrike. BYD, Chery dhe Geely po zgjerojnë praninë në Europë, ndërsa kompanitë tradicionale kanë investuar miliarda në elektrifikim pa marrë ende ritmet e shitjeve që prisnin.
Sipas vlerësimeve të industrisë të cituara nga BBC, fabrikat e makinave në Europën Perëndimore kanë kapacitet të lirë prodhimi që korrespondon me rreth 2.5 milionë automjete në vit.
Kriza po shoqërohet edhe me shkurtime të vendeve të punës dhe mbyllje fabrikash. Volkswagen ka njoftuar plane për reduktime të mëdha të personelit gjatë viteve të ardhshme, ndërsa Jaguar Land Rover ka njoftuar së fundmi mijëra shkurtime në Britani.
Megjithatë, industria e mbrojtjes nuk pritet të zëvendësojë përmasat e tregut civil të automobilave. Prodhimi ushtarak mund të përdorë një pjesë të fabrikave, teknologjisë dhe zinxhirit të furnizimit, por porositë ushtarake janë shumë më të vogla se prodhimi masiv i makinave.
Në një Europë që po rrit ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen, kompanitë automobilistike po shohin gjithsesi një mundësi të re: fabrikat që dikur prodhonin miliona makina mund të përdoren gjithnjë e më shumë për automjete ushtarake, dronë dhe teknologji të mbrojtjes.






