
Flokët e shkurtër po rikthehen fuqishëm në tendencat e bukurisë dhe një model po spikat mbi të tjerët në vitin 2026: “bixie”.
Prerja është një kombinim mes modeleve të njohura pixie dhe bob. Flokët qëndrojnë të shkurtër në pjesën e pasme, afër qafës, ndërsa pjesa e përparme lihet më e gjatë dhe më e butë, duke krijuar një pamje elegante, por jo tepër të rreptë.

Sipas Harper’s Bazaar India, mes personazheve të njohur që po përqafojnë modelet e shkurtra janë Zendaya, Pamela Anderson, Halle Berry dhe Michelle Yeoh, duke e kthyer “bixie” në një nga prerjet më të diskutuara të momentit.

Një prej avantazheve të saj është përshtatshmëria. “Bixie” funksionon me tipe të ndryshme flokësh, nga kaçurrelat e dendura deri tek flokët më të hollë, ndërsa gjatësia e pjesës së përparme lë hapësirë për stilime të ndryshme.
Pas viteve kur flokët e gjatë dominuan shumë prej tendencave, 2026-a duket se po i jep protagonizmin flokëve të shkurtër, me “bixie” si një prej modeleve që pritet të shihet gjithnjë e më shumë.




