
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, ndërsa ka folur për zhvillimet që lidhen me Belinda Ballukun, arrestimin e Ergys Agasit dhe denoncimet e bëra së fundmi nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.
I pyetur nëse kishte informacion për zërat se SPAK mund të dërgojë në Kuvend një kërkesë të dytë për arrestimin e Ballukut dhe nëse Rama do ta “lëshojë” atë, Berisha pretendoi se marrëdhënia mes tyre është tensionuar.
“Këto ditë mësoj që ka një tension real midis Edi Ramës dhe Lubi Ballukut. Dhe ky tension real është rezultat i arrestimit të Ergys Agasit, ku thuhet se dora e zezë e Lubisë është prapa atij arrestimi”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, zhvillimet e fundit mund ta bëjnë Ramën të kuptojë se raportet e forcës brenda qeverisë kanë ndryshuar.
“Ka mundësi që Edi Rama të shohë qartë tani se kabineti ekzistues nuk është Rama-Balluku, por Balluku-Rama”, tha kreu i PD-së.
Berisha u ndal edhe te intervista e Arben Ahmetajt në “Çim Peka Live”, ku ish-numri dy i qeverisë ngriti pretendime për trafik ndërkombëtar armësh dhe lidhje me qeverinë. Berisha e cilësoi denoncimin “të një rëndësie të jashtëzakonshme”, ndërsa akuzoi qeverinë për përfshirje në atë që ai e quajti “punë të pista armësh”.
Kreu i opozitës pretendoi gjithashtu se, pas deklaratave të Ahmetajt, bashkëshortja dhe familjarët e tij janë kërcënuar.
“Denoncoj me forcën më të madhe kërcënimet që u janë bërë bashkëshortes dhe familjarëve të Arben Ahmetajt, me urdhër padyshim të Edi Ramës dhe strukturave të narkoshtetit”, deklaroi Berisha.
Ai nuk paraqiti prova për pretendimin se kërcënimet janë urdhëruar nga Rama.
Berisha njoftoi gjithashtu se janë dorëzuar firmat për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili, sipas tij, duhet të hetojë veprimtarinë që opozita e konsideron antikushtetuese, antiligjore dhe korruptive të kryeministrit dhe personave që Berisha i lidh me të.






