
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për debatin mbi pagat e magjistratëve, duke kundërshtuar ashpër pretendimin se gjyqtarët mund të kërkojnë fondet që, sipas tyre, janë krijuar nga të ardhurat e sistemit gjyqësor.
Duke shpërndarë një reagim të gjyqtarit Engert Pëllumbi, Rama deklaroi se një gjyqtar nuk mund të shprehet në këtë mënyrë dhe se fondet e mbledhura nga institucionet përfundojnë në thesarin e shtetit.
“Historia e botës s’e ka parë që gjykatësit të thonë do t’i marrim paratë vetë nga thesari i shtetit se janë tonat”, shkruan Rama, ndërsa e cilëson shprehjen “i kemi mbledhur vetë” si tregues të një “shkalle rrëqethëse të paditurisë mbi funksionimin e shtetit”.
Kryeministri sjell si shembull doganierët, tatimorët, policët dhe inspektorët, duke argumentuar se edhe ata mund të pretendonin në këtë logjikë paratë që mbledhin nga taksat apo gjobat.
Rama e lidh debatin edhe me diferencat mes pagave në sektorin publik. Sipas përllogaritjes së tij, nëse rritja e kërkuar nga magjistratët do të pranohej, një gjyqtar fillestar do të merrte 3.8 herë më shumë se një mësues, mjek apo ushtarak, ose një pagë 280% më të lartë.
Përplasja për pagat e magjistratëve ka sjellë ditët e fundit një debat të fortë mes qeverisë dhe përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë.






