
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas tërheqjes së profesorit Bekim Sejdiu nga kandidatura për president të Kosovës, duke shprehur keqardhje për vendimin dhe duke akuzuar kundërshtarët politikë se pamundësuan zgjedhjen e kreut të shtetit.
Sipas VV-së, kandidatura e Sejdiut ishte rezultat i bisedimeve politike dhe i një marrëveshjeje për një emër konsensual. Por situata ndryshoi pasi gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër kandidaturës, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja deklaruan se nuk do të merrnin pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit.
Gjashtë deputetët e LDK-së që kundërshtuan Sejdiun janë Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Janina Ymeri.
Vetëvendosje argumenton se mospjesëmarrja në votim nuk është thjesht qëndrim kundër një kandidati, por pengim i procesit kushtetues që mund ta çojë Kosovën drejt zgjedhjeve të reja.
“Kosova e pati marrëveshjen dhe kandidatin e përbashkët. E pati mundësinë që çështja e Presidentit të zgjidhej në Kuvend. Por u bllokua, sërish”, thuhet në reagimin e VV-së.
Bekim Sejdiu ishte propozuar si kandidat konsensual për president rreth dy javë më parë, por këtë të hënë njoftoi tërheqjen nga gara.






