
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa, ka propozuar krijimin e një “Koalicioni për Normalitet” mes Lëvizjes Vetëvendosje, PDK-së dhe përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë, si rrugë për kapërcimin e bllokadës politike në Kosovë.
Sipas propozimit të Mustafës, marrëveshja do të mbështetej në një “Pakt për Shtetin”, ku përgjegjësitë kryesore institucionale do të ndaheshin mes dy forcave politike.
Vetëvendosjes, si forcë e parë parlamentare, do t’i njihej e drejta për të drejtuar Qeverinë dhe Kuvendin, ndërsa PDK-ja do të merrte Presidencën. Komuniteteve joshumicë, sipas tij, duhet t’u garantohet përfaqësimi i plotë dhe roli kushtetues në institucionet e Kosovës.
Mustafa e ka cilësuar këtë formulë si një marrëveshje për balancë dhe stabilitet institucional, duke argumentuar se asnjëra palë nuk do të hiqte dorë nga legjitimiteti i saj politik.
Deputeti i PDK-së ia ka adresuar drejtpërdrejt propozimin Albin Kurtit, duke thënë se çelësi për hapjen e negociatave është në duart e kreut të Vetëvendosjes.
“Si udhëheqës i forcës më të madhe parlamentare, ke përgjegjësinë për ta hapur këtë tryezë”, është shprehur Mustafa, i cili ka thënë se beson se PDK-ja është e gatshme të marrë pjesën e saj të përgjegjësisë.
Sipas tij, Kosovës i duhet një marrëveshje politike që do t’i jepte fund bllokadës dhe do të mundësonte funksionimin e institucioneve.






