
Policia e Tiranës ka arrestuar 12 persona dhe ka proceduar penalisht 15 të tjerë pas tubimit të zhvilluar më 14 shtator në kryeqytet.
Sipas policisë, tubimi nisi rreth orës 07:30 në sheshin “Skënderbej”, pa lejen përkatëse. Pjesëmarrësit më pas marshuan drejt Rrugës së Durrësit dhe u ndalën pranë një gjimnazi, ku u bënë thirrje nxënësve që të bojkotonin mësimin dhe t’i bashkoheshin tubimit.
Policia pretendon se në këtë mënyrë është cenuar perimetri i sigurisë së shkollës. Pavarësisht thirrjeve të efektivëve për t’u larguar nga zona dhe për të liruar trotuarin, disa prej pjesëmarrësve nuk iu bindën urdhrave dhe, sipas njoftimit, kundërshtuan me forcë punonjësit e policisë gjatë shoqërimit.
Në përfundim të veprimeve, u arrestuan 12 persona të moshave nga 19 deri në 63 vjeç, ndërsa për 15 të tjerë, nga 18 deri në 49 vjeç, nisi procedimi penal në gjendje të lirë.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shtytja e të miturve në krim”.






