Policia e Tiranës ka zbuluar një magazinë me mbi 450 pajisje dhe artikuj të dyshuar të kontrabanduar, mes tyre 239 dronë, llastiqe gjuetie dhe sfera metalike. Në pranga ka përfunduar një 23-vjeçar, i cili, sipas policisë, u kap duke u shitur pjesëmarrësve në protestat e ditëve të fundit llastiqe dhe sfera metalike, të destinuara për të goditur efektivët e policisë dhe institucionet.

Operacioni i koduar “Infrastruktura” u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Në përfundim të veprimeve, policia arrestoi shtetasin O. M., 23 vjeç, banues në Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar, i riu u kap në flagrancë në rrugën “Tre Dëshmorët”, teksa po u shiste pjesëmarrësve në protestë 30 llastiqe gjuetie me sfera metalike. Pajisjet u sekuestruan si prova materiale.

Video

Magazina me 239 dronë dhe pajisje elektronike

Pas arrestimit, efektivët kontrolluan një magazinë në rrugën “Kol Koçi”, që posedohej nga 23-vjeçari.

Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan:

– 239 dronë të madhësive të ndryshme;
– 75 llastiqe gjuetie dhe një sasi e konsiderueshme sferash metalike;
– 44 telefona celularë dhe 17 karikues portativë;
– 10 pajisje për lokalizimin GPS të automjeteve;
– 3 palë syze me videoregjistrues dhe pajisje DVR;
– 8 pajisje Blackbox me kamera për automjete;
– 5 pajisje për zbulimin e GPS-ve dhe kamerave;
– Pajisje të tjera elektronike, lazerë, orë inteligjente dhe çanta me hapje përmes gjurmëve të gishtave.

Policia bën të ditur se 23-vjeçari nuk dispononte dokumentacion për pajisjet dhe artikujt e gjetur.

## Hetimet për lidhjet me protestat

Autoritetet dyshojnë se një pjesë e artikujve tregtoheshin për qëllime të kundërligjshme.

Megjithatë, policia nuk ka njoftuar se 239 dronët e sekuestruar ishin përdorur apo do të përdoreshin gjatë protestave. Dyshimi i lidhur drejtpërdrejt me protestat ka të bëjë me shitjen e llastiqeve dhe sferave metalike.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së 23-vjeçarit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale që lidhen me tregtimin dhe kontrabandën e mallrave, fshehjen e të ardhurave, mospagimin e taksave dhe ushtrimin e aktivitetit tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu