
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita mbështet plotësisht protestën qytetare që po zhvillohet prej javësh në Tiranë, duke theksuar se pesë kërkesat e protestuesve kanë qenë dhe mbeten edhe kauza të Partisë Demokratike.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha iu përgjigj kritikave se më herët kishte mbajtur një qëndrim të rezervuar ndaj protestës, ndërsa tani bën thirrje për pjesëmarrje. Ai mohoi çdo përpjekje për ta politizuar lëvizjen, duke nënvizuar se opozita ka respektuar karakterin qytetar dhe rinor të saj.
“Pesë kërkesat e protestuesve janë njëkohësisht kërkesa që kanë qenë dhe janë betejat tona. Ne kemi 13 vite që protestojmë kundër Edi Ramës dhe kemi kërkuar largimin e tij”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, Partia Demokratike ka mbajtur një qëndrim të qartë: protesta nuk është e PD-së, nuk duhet të ketë simbole partiake dhe pjesëmarrja duhet të jetë si qytetarë dhe jo si militantë politikë.
Berisha tha se për këtë arsye nuk ka marrë pjesë personalisht në protestë, duke e konsideruar atë një protestë “strikt rinore dhe qytetare”. Megjithatë, ai përsëriti thirrjen drejtuar mbështetësve të opozitës për t’iu bashkuar tubimit.
“U bëj thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike, nga Pogoni, Kakavija, Vermoshi e deri në Valbonë, të vërshojnë drejt Tiranës në protestën më madhështore të kombit. Qytetare, rinore, jo partiake”, u shpreh Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu kundërshtarët politikë dhe grupet që, sipas tij, përpiqen të relativizojnë protestën, duke theksuar se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të shprehin lirisht qëndrimet e tyre.






