
Procesi i rindërtimit në Kombinat duhet të përmbyllet me ritëm më të shpejtë dhe me ndërhyrje të koordinuar institucionale.
Zv.kryeministrja Albana Koçiu dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, vizituan Njësinë 6 në Tiranë, ku kërkuan përshpejtimin e procedurave për përfundimin e procesit të rindërtimit në zonën e Kombinatit.
Koçiu bëri të ditur se deri tani janë shpërndarë mbi 340 apartamente për familjet e prekura nga tërmeti, ndërsa rreth 650 familje vijojnë të trajtohen me bonus qiraje dhe presin të marrin banesat e tyre.
“Procedurat kanë nisur, por ritmi është shumë i ngadaltë. Kanë kaluar shtatë vite, ne duhet të marrim masat, ta përmbyllim këtë proces me ritëm shumë të shpejtë”, deklaroi Koçiu.
Sipas saj, në Kombinat janë aktualisht rreth 150 apartamente të ndërtuara, prej të cilave 75 janë në pritje të procesit të shortit. Për një pjesë tjetër vijojnë ndërhyrjet për ujësjellës-kanalizimet, me qëllim përfundimin e tyre dhe kalimin në fazën e shpërndarjes.
Në një tjetër shesh ndërtimi, ku procedura e prokurimit ka përfunduar, pritet të ndërtohen 223 apartamente të reja, ndërsa ka nisur procedura edhe për ndërtimin e 100 apartamenteve të tjera.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, tha se banorët kanë të drejtë të kërkojnë një përgjigje përfundimtare pas një periudhe të gjatë pritjeje.
“Njerëzit kanë të drejtë, pas kalimit të gjithë këtyre viteve, tashmë shtatë vite, ne duhet t’u japim një përgjigje përfundimtare”, u shpreh Demo.
Ministri saktësoi se do të kërkohet financim nga buxheti i qeverisë qendrore për të përshpejtuar procesin e rindërtimit. Ndërhyrja do të fokusohet në përfundimin sa më të shpejtë të apartamenteve të ndërtuara, zgjidhjen e problematikave me OSHEE-në dhe ujësjellësin, si dhe përgatitjen e shesheve të reja për familjet që ende presin banesat.
Koçiu nënvizoi se çdo procedurë duhet të respektojë kërkesat ligjore, por kjo nuk duhet të kthehet në arsye për zvarritje.






