
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar nga New Yorku se Qeveria do të angazhohet për të mbështetur përpjekjet për ndryshimin e vendimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kurti ndodhet në Shtetet e Bashkuara për takime në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ndërsa gjatë qëndrimit të tij është parashikuar edhe takimi me përfaqësues të diasporës shqiptare.
Në një bashkëbisedim me të rinjtë e diasporës shqiptare në New York, Kurti tha se ekzekutivi kosovar do të ofrojë mbështetje “në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion” për përpjekjet që synojnë korrigjimin e verdiktit.
Sipas tij, nevojitet edhe një strategji shtetërore për fazën e apelit, që të përfshijë mbështetjen për ekipet mbrojtëse, por edhe angazhimin diplomatik të Kosovës.
Kurti tha se Qeveria synon të bashkëpunojë me aleatët ndërkombëtarë dhe të kundërshtojë atë që ai e cilëson si propagandë të Serbisë ndaj luftës së UÇK-së.
Qëndrimi i tij vjen tre ditë pas shpalljes së vendimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Më 16 shtator, Kurti e cilësoi publikisht vendimin “padrejtësi të papranueshme” dhe kërkoi që ai të ndryshohej në apel.
Një ditë më pas, kryeministri u takua edhe me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, ku të dy diskutuan rrugët që mund të ndiqen pas vendimit dhe ranë dakord për vazhdimin e komunikimit për këtë çështje.






