
Pas vendimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, beteja ligjore zhvendoset tashmë në Apel, ku ekipet e mbrojtjes po përgatiten të kundërshtojnë konkluzionet e trupit gjykues.
Një nga pikat që po tërheq më shumë vëmendje është precedenti i gjeneralit kroat Ante Gotovina. Ai ishte dënuar në vitin 2011 me 24 vjet burg nga shkalla e parë e Tribunalit për ish-Jugosllavinë, por në nëntor 2012 Dhoma e Apelit rrëzoi dënimet dhe urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm/
Lidhja me procesin aktual është edhe më e drejtpërdrejtë për shkak të avokatit Luka Mišetić. Ai ishte pjesë e ekipit mbrojtës të Gotovinës edhe në Apel, ndërsa sot përfaqëson Hashim Thaçin. Dokumentet e Tribunalit të Hagës e identifikojnë Mišetić si një nga avokatët e Gotovinës në procedurën e Apelit.
Pas verdiktit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Mišetić ka kundërshtuar mënyrën se si trupi gjykues ka interpretuar qëllimin e asaj që vendimi e cilëson “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Sipas tij, gjykata ka shkuar më larg se vetë pretendimet e Prokurorisë duke lidhur arritjen e pavarësisë së Kosovës me kryerjen e krimeve të luftës.
Vendimi i 16 shtatorit shpalli fajtorë të katër të akuzuarit për krime lufte që lidhen me ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Veseli me 18 dhe Selimi me 13 vjet. Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të ankimohet.
Pikërisht këtu rikthehet në vëmendje rasti Gotovina. Në atë proces, vendimi i shkallës së parë u përmbys në Apel, por kjo nuk do të thotë se rezultati mund të përsëritet automatikisht edhe në çështjen Thaçi dhe të tjerët, pasi bëhet fjalë për procese, prova dhe juridiksione të ndryshme.
Megjithatë, juristë në Kosovë e përmendin precedentin kroat si shembull se sa thellësisht mund të ndryshojë një çështje penale ndërkombëtare në shkallën e dytë.
Tashmë pritet që ekipet mbrojtëse të paraqesin zyrtarisht njoftimet dhe argumentet e tyre për Apelin, duke hapur fazën e radhës të një prej proceseve më të rëndësishme që lidhen me luftën e Kosovës.






