
Kryeministri Edi Rama ka lëshuar një mesazh të fortë politik që u interpretua si një thumbim ndaj deputetes Marjana Koçeku, e njohur si Neomalsorja, pas largimit të saj nga Partia Socialiste dhe vendimit për të vijuar mandatin si deputete e pavarur.
Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar të PS-së, Rama foli për persona që, sipas tij, përfituan nga mbështetja e socialistëve dhe më pas u kthyen kundër partisë.
“Një grumbullim i hatashëm gjërash që as janë njësoj, as janë bashkë, por u mblodhën së bashku në një prurje që nxori në bregun e gjithë atij oqeani virtual deri te dhëmbët e atyre që e kalëruan këtë parti sa mundën dhe kur ranë nga kali filluan t’i gjuajnë me këpucët e blera majë kalit”, deklaroi Rama.
Edhe pse nuk përmendi emra, deklarata e tij u interpretua si një referencë e drejtpërdrejtë ndaj Marjana Koçekut, e cila pak ditë më parë njoftoi largimin nga Partia Socialiste, duke deklaruar se do të ushtrojë mandatin e saj si deputete e pavarur në Kuvend.
Largimi i Koçekut ka shkaktuar debat në politikë dhe rrjetet sociale, ndërsa reagimi i Ramës vjen për herë të parë publikisht pas këtij zhvillimi.






