
Kryeministri Edi Rama iu ka dërguar ftesë institucioneve të drejtësisë për të mbajtur një takim më datë 28 shtator për të biseduar në lidhje me pagat e magjistratëve.
Ftesa vjen pas debatit të hapur për nivelin e pagave në sistemin e drejtësisë dhe kërkesave për ndërhyrje të reja ligjore. Rama thotë se synimi është gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjatë, që garanton trajtimin financiar të magjistratëve, por edhe ruajtjen e ekuilibrit në piramidën shtetërore të pagave.
Në tryezë pritet të marrin pjesë drejtues të dy këshillave të drejtësisë dhe institucioneve të tjera gjyqësore. Kryeministri njoftoi gjithashtu se do të mirëpritet edhe kontributi i ekspertëve të Këshillit të Europës dhe i Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë.
Rama theksoi se pavarësia e magjistratëve dhe niveli aktual i pagave të tyre janë rezultat i reformës në drejtësi dhe i vullnetit të shumicës qeverisëse. Sipas tij, magjistratët nuk duhet të harrojnë se trajtimi i tyre me pagat më të larta në Republikën e Shqipërisë dhe ndër më të lartat në rajon “nuk ra nga qielli”.





