Partia Demokratike e Kosovës dorëzon projektligjin për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur procedurat për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Projektligji është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, pas aktgjykimit dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

PDK e ka kundërshtuar vendimin, duke e cilësuar atë të padrejtë dhe të papranueshëm. Sipas kësaj force politike, iniciativa synon rishikimin e kornizës ligjore mbi të cilën funksionojnë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Partia thekson se nisma mbështetet në Kushtetutën e Kosovës, Amendamentin nr. 24, marrëveshjet ndërkombëtare përkatëse dhe Aktgjykimin KO26/15 të Gjykatës Kushtetuese.

PDK kërkon që Kuvendi ta shqyrtojë projektligjin dhe të vlerësojë dispozitat që rregullojnë funksionimin e Dhomave të Specializuara, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të Kushtetutës, ligjeve të Kosovës dhe standardeve të një procesi të drejtë gjyqësor.

Partia Demokratike e Kosovës deklaron se do të vijojë rrugën demokratike, institucionale dhe ligjore për kundërshtimin e vendimeve ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe për çështjet që lidhen me funksionimin e Dhomave të Specializuara.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu