
Plot 11 vjet përpara vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, diplomati dhe publicisti Abdi Baleta ngrinte pikëpyetje të forta për krijimin e Gjykatës Speciale dhe pasojat që, sipas tij, ajo mund të sillte për Kosovën.
Në analizën “Shqetësime reale nga ‘Gjykatat Speciale’”, të shkruar në maj 2015, Baleta argumentonte se një gjykatë e posaçme ndërkombëtare, e krijuar kryesisht për të hetuar dhe gjykuar krime të pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, nuk duhej parë vetëm si një mekanizëm juridik.
Një nga shqetësimet kryesore të Baletës ishte pikërisht UÇK-ja. Ai nuk i konsideronte bindëse garancitë e kohës se gjykata do të merrej vetëm me përgjegjësinë individuale dhe se nuk do të prekte luftën çlirimtare.
Sipas tij, ekzistonte rreziku që procesi të vazhdonte atë që ai e konsideronte frymë të gabuar të drejtësisë ndërkombëtare: barazimin e viktimës me agresorin. Baleta shkruante se garancitë se bëhej fjalë vetëm për gjykimin e individëve dhe jo për njollosjen e UÇK-së “nuk mund të jenë qetësuese për opinionin publik”.
Por paralajmërimi i tij shkonte më tej se fati i individëve që mund të përfundonin nën akuzë. Baleta e lidhte krijimin e Speciales me vetë shtetshmërinë e Kosovës.
Ai ngrinte dyshimin se këmbëngulja e faktorit ndërkombëtar për krijimin e gjykatës mund të fshihte skenarë për “njëfarë revizionimi” të procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Sipas analizës së tij, në disa qarqe politike evropiane po shtoheshin zërat se njohja e pavarësisë së Kosovës kishte qenë e nxituar, ndërkohë që diplomacitë perëndimore po përpiqeshin të afronin Serbinë për ta mbajtur atë larg ndikimit rus.
Pikërisht në këtë kontekst Baleta jepte një nga paralajmërimet më të forta të shkrimit të tij: “Ka shumë shenja që tregojnë se erërat nuk janë të mira për lundrimet politike dhe diplomatike shqiptare”.
Një tjetër pikë e analizës ishte mënyra se si ndërhyrja ndërkombëtare kishte ndikuar në ndërtimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Baleta kritikonte eksperiencën me UNMIK-un dhe më pas EULEX-in, duke argumentuar se Kosova nuk kishte arritur të ndërtonte një pushtet gjyqësor plotësisht të pavarur.
Sipas tij, pas drejtësisë së administruar nën UNMIK dhe EULEX, krijimi i Gjykatës Speciale përbënte praktikisht ngritjen e një sistemi të tretë të drejtësisë të drejtuar nga ndërkombëtarët.
Baleta argumentonte se Kosova kishte nevojë për të kundërtën: ndërtimin e një sistemi gjyqësor normal, efikas dhe të pavarur, të mbështetur te profesionistët dhe institucionet e vetë Kosovës.
Ai pranonte problemet dhe dështimet e institucioneve kosovare për të bërë drejtësi, por kundërshtonte idenë se këto dobësi mund të korrigjoheshin përmes ngritjes së një tjetër mekanizmi ndërkombëtar.
Në përfundim të analizës, Baleta e formulonte shqetësimin në mënyrë të drejtpërdrejtë: “Rrezikshmërinë për shtetshmërinë e pavarur e sovrane të Kosovës” nuk mund ta fshihnin, sipas tij, argumentet juridike dhe kushtetuese që përdoreshin për krijimin e Gjykatës Speciale.
Për Baletën, problemi nuk ishte vetëm nëse disa individë do të shpalleshin fajtorë apo të pafajshëm. Shqetësimi i tij ishte shumë më i gjerë: çfarë pasoje politike dhe historike mund të kishte një gjykatë e krijuar posaçërisht për krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së mbi perceptimin e luftës, mbi institucionet dhe mbi vetë shtetshmërinë e Kosovës.
“Dobësitë e dështimet e forcave politike, shoqërore e juridike në Kosovë për të bërë drejtësi në shtëpinë e tyre, nuk do i shërojnë dot ‘gjykatat speciale’ ndërkombëtare”, përfundonte Baleta analizën e tij në maj të vitit 2015.






