
Real Madrid e ka nisur me fitore aventurën në Champions League, duke mposhtur Interin 2-1 në ndeshjen e parë të fazës së ligës.
Skuadra madrilene e vendosi ndeshjen në shinat e duhura që në pjesën e parë. Kylian Mbappé zhbllokoi rezultatin në minutën e 14-të, pas asistit të Brahim Diaz.
Vetëm nëntë minuta më vonë erdhi goditja e dytë. Portieri i Interit, Josep Martinez, vonoi largimin e topit dhe tentoi driblimin nën presionin e Federico Valverdes. Mesfushori i Realit përfitoi nga gabimi dhe realizoi për 2-0.
Interi pati mundësitë e tij për t’u rikthyer, por Courtois dhe mbrojtja madrilene rezistuan, ndërsa edhe Real Madrid shpërdoroi disa raste për të mbyllur përfundimisht ndeshjen.
Zikaltërit rihapën gjithçka në minutën e 77-të. Lautaro Martinez shërbeu një top të ulët në zonë dhe Carlos Augusto e dërgoi në rrjetë për 2-1.
Në minutat e fundit Interi kërkoi golin e barazimit dhe Mkhitaryan iu afrua në minutën e 89-të, por Courtois ndërhyri duke ruajtur avantazhin.
Sfida përfundoi 2-1 dhe Real Madrid merr tri pikët e para në Champions. Në ndeshjen e ardhshme madrilenët do të luajnë në transfertë ndaj Romës, ndërsa Interi do të presë Club Brugge.






