
Familjarët e ish-krerëve të UÇK-së kanë reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, që dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vite burg, Kadri Veselin me 18 vite dhe Rexhep Selimin me 13 vite.
Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, falënderoi shqiptarët që udhëtuan drejt Hagës dhe ata që vijuan të shprehnin mbështetje edhe pas shpalljes së vendimit.
“Falënderoj të gjithë vëllezërit dhe motrat shqiptare që udhëtuan dhe që pritën me orë të tëra për vendimin. Në veçanti, ata që nuk e ndalën zërin edhe pas vendimit”, shkroi Endrit Thaçi.
Ai tha se, sapo të kthehet, do t’i bashkohet edhe vetë zërit të mbështetësve.
“Kjo betejë nuk ka mbaruar. Ashtu si babi sot, që me kokën lart u përball me këtë ditë, edhe ne do të vazhdojmë përpara me kokën lart, me dinjitet dhe maturi”, shkroi ai.

Pas vendimit reagoi edhe Klestor Veseli, djali i Kadri Veselit. Mesazhi i tij ishte i shkurtër: “Të fortë jemi, të fortë duhet me qëndru – nuk kemi asgjë më shumë”.
Gresa Krasniqi, vajza e Jakup Krasniqit, e cilësoi vendimin “padrejtësinë më të madhe të këtij shekulli”, duke deklaruar se familja nuk do të dorëzohet. “Na lënduan, por nuk na thyejnë”, ishte mesazhi i saj.

Aktgjykimi i shpallur këtë të mërkurë është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.







